• Ballina
  • Planikimi
    • Testi i ndërmarrësisë

    • Format juridike

    • Plani i biznesit

    • Buxheti për startup

  • Themelimi
    • Procedurat e regjistrimit

    • Shkathtësitë financiare

    • Taksat dhe tatimet

    • Kontrata e punës

    • Faturë tatimore

  • Rritja
    • Qasja në tregje

    • Digjitalizimi i ndërmarrjes

    • Gatishmëria për eksport

    • Ekonomia e gjelbër

    • Koventat e ILO-së

  • Këshilla
  • Webinarë
  • Publikime


A. Pyetjet e Përgjithshme

A.1: A jeni të gatshëm për të filluar dhe zhvilluar një biznes? 

Pasi që fillimi i një biznesi të ri kërkon ndryshime të mëdha në të gjitha sferat e jetës, përgatitja psiqike dhe emocionale për një aventurë të tillë, duhet të merret parasysh para se të merret vendimi për fillimin e një biznesi të ri.

A.2: A keni përvojë profesionale në biznese të ngjashme me idenë e biznesit të cilën jeni duke e zhvilluar?

Të gjitha përvojat profesionale janë të rëndësishme dhe mund të ndikojnë në zhvillimin e personalitetit, aftësive menaxheriale, aftësive ndërnjerëzore, aftësive teknike etj. Përvoja specifike në biznesin e ngjashëm me idenë të cilën planifikoni të zhvilloni, mund të konsiderohet si qenësore pasi që gjatë operimeve të aktiviteteve kryesore biznesore, ju mund të keni pasur përvojë në menaxhimin efektiv të sfidave kyçe të shfaqura gjatë jetëgjatësisë së biznesit.

A.3: A mund të mbështeteni në përkrahjen e rrethit tuaj për të zhvilluar idenë tuaj të biznesit?

Duke konsideruar se fillimi i një biznesi të ri kërkon burime të konsiderueshme dhe në fazën e parë të zhvillimit të biznesit, mundësitë financiare për të mbuluar të gjitha shpenzimet mund të jenë të limituara. Mundësia e përkrahjes shtesë nga rrethi në këtë fazë kritike të zhvillimit të biznesit, mund të jetë qenësore për performancën e një biznesi të ri.

A.4: A cilësoheni si person ndërmarrës nga personat më të afërt tuaj në fushën profesionale?

Të pasurit parasysh të opinioneve të rrethit tuaj si pjesë e vlerësimit të aftësive ndërmarrëse, mund të jetë e rëndësishme në fazën e parë të realizimit të këtij vlerësimi. Mënyra se si na vlerësojnë të tjerët, tregon mjaft se si ne reflektojmë dhe këto opinione mund të na ndihmojnë në këtë vlerësim se a mund të jemi ndërmarrës. Gjithsesi duhet të kemi parasysh të konsiderojmë opinionet profesionale të ekspertëve të fushës apo personave të cilët njihen për aftësi të veçanta të ndërmarrësisë.

A.5: A keni marrë pjesë në trajnime për menaxhim të biznesit?

Nëse nuk keni marrë pjesë në trajnime për menaxhim të biznesit, gjithsesi konsideroni pjesëmarrjen në trajnime ku përfshihen fushat kryesore të menaxhimit të një biznesi: menaxhimi, marketingu, operacionet, logjistika, shitja, raportimet, financat, kontabiliteti etj.  

A.6: A mund ta cilësoni veten si person me aftësi të liderit?

Përgjigjja e saktë në këtë pyetje mund të jetë gjithmonë subjektive, por përkushtimi për të siguruar një opinion para se të fillohet praktika e ndërmarrësisë është mjaft i rëndësishëm. Nëse e konsideroni veten si person me aftësi të liderit të dëshmuar historikisht gjatë përvojave të ndryshme jetësore, mund të shqyrtoni zhvillimin e aftësive tjera menaxheriale të nevojshme për menaxhim efektiv të biznesit.

A.7: Nga përvoja juaj deri më tani, a jeni person që i merrni vetë vendimet e rëndësishme?

Vendimmarrja cilësore mund të konsiderohet si virtyti më i rëndësishëm i secilit profesionist, e veçanërisht për ndërmarrësit. Aftësia për të marrë vendime konstruktive si rezultat i një hulumtimi të gjerë dhe analizë të detajuar të mundësive, është element shumë i rëndësishëm i çdo ndërmarrësi, posaçërisht në fazën e zhvillimit të një biznesi të vogël.

A.8: Nga përvoja, a kërkon rrethi juaj shoqëror ndihmë nga ju për marrjen e vendimeve?

Të qenit ndërmarrës nënkupton po ashtu gatishmërinë e individit për të pranuar sfida dhe përgjegjësi në çdo kohë dhe gatishmëri për t’u ndihmuar partnerëve, kolegëve dhe punëtorëve që ata t’i tejkalojnë sfidat e ndryshme gjatë punës. Nëse historikisht njiheni si person i duhur për t’u mbështetur për ndihmë, mund të kuptohet se keni aftësi ndërmarrëse të cilat me trajnime shtesë për menaxhim të biznesit të vogël, mund të transformohen në aftësi të shkëlqyera ndërmarrëse dhe menaxhuese.

A.9: A e konsideroni të vështirë ballafaqimin me konkurrencën?
Konkurrenca është prezente në të gjitha industritë dhe po ashtu në të gjitha tregjet kudo në botë. Varësisht se si ne e perceptojmë dhe e pranojmë konkurrencën, mund ta cilësojmë si të rrezikshme, si mundësi që të orientohemi drejt përmirësimit të vazhdueshëm apo si shtytje kryesore për ndryshime pozitive në vendin tonë dhe në treg.

B. Karakteristikat Personale

B.1: A posedoni virtyte dhe fuqi personale për të përballuar volumin e punës dhe të aktiviteteve që kërkohen nga një i vetëpunësuar?

Aftësia për të përballuar dhe pranuar volum të paplanifikuar të punës si rezultat i sfidave të ndryshme që mund të rezultojnë gjatë zhvillimit të një biznesi të vogël dhe më pas menaxhimit të tij, mund të jetë indikatori kyç i vlerësimit të aftësive ndërmarrëse të një individi.

B.2: Njerëzit që ju njohin, a do t’ju përshkruajnë si person të shoqërueshëm, i hapur për ide të reja dhe me vetëbesim?

Të analizuarit se si ne vetë reflektojmë në aspektin shoqëror dhe vlerësimi i aftësive e vullnetit për të pranuar ide të reja është indikator i rëndësishëm drejt vlerësimit të aftësive tona ndërmarrëse.

B.3: A jeni të gatshëm të investoni apo humbni një pjesë apo tërësisht kursimet tuaja?

Fillimi i një biznesi të ri për çdo sektor, kërkon investime në fusha të ndryshme. Në këtë fazë, në shumicën e rasteve, ndërmarrësit duhet të sigurojnë vetë investimin e kërkuar, pasi që rrallë herë mund të ofrohet përkrahje financiare për start-up biznese. Po ashtu edhe institucionet financiare hezitojnë të financojnë investimet e ideve start-up për arsye të rrezikut të madh, që këto biznese paraqesin për kthimin e kredive.  Në këtë situatë, ndërmarrësi duhet të jetë i gatshëm të investojë një pjesë apo tërësisht kursimet individuale apo familjare në idenë e biznesit të planifikuar.

B.4: A jeni të gatshëm të ulni standardin e jetesës përkohësisht nëse kërkohet, derisa të konsolidohet biznesi i juaj?

Në situatë të investimit të një pjese apo të krejt kursimeve, standardi i jetesës mund të ulet deri në konsolidimin e biznesit, në zhvillimin dhe fillimin e realizimit të hyrave të mjaftueshme nga biznesi i ri. Karakteristikë e një ndërmarrësi është gatishmëria për të sakrifikuar standardin aktual për një biznes të ardhshëm të suksesshëm. Kjo po ashtu nënkupton orientimin e të gjitha mjeteve financiare të planifikuara paraprakisht për konsum, në drejtim të investimit në zhvillimin e biznesit të ri.

B.5: A jeni të gatshëm emocionalisht të menaxhoni efektivisht stresin dhe presionin?

Aftësia individuale për të menaxhuar fillimisht veten emocionalisht dhe më pas të tjerët si të angazhuar në zhvillimin e biznesit të ri, tregon inteligjencë të lartë emocionale si virtyt kryesor i një ndërmarrësi të suksesshëm. Menaxhimi me qetësi i të gjitha sfidave të krijuara gjatë punës, pa stres dhe pa ndjenjën e presionit, mundëson përkushtimin efektiv dhe realizimin me sukses të gjitha detyrave në rrugëtimin e ndërmarrësisë.

B.6: A jeni të vetëdijshëm se menaxhimi i një biznesi mund të kërkojë angazhim të plotë për më shumë se 12 orë në ditë, 6 ose 7 ditë në javë pa pushim?

Secili individ që dëshiron të bëhet ndërmarrës, duhet të marrë parasysh fillimisht ndryshimet radikale në mënyrën e jetesës, që kushtëzohen nga volumi i punës dhe niveli i përgjegjësisë. Të qenit ndërmarrës mund të kërkojë angazhim maksimal të kohës dhe burimeve tjera për të siguruar funksionim normal të proceseve të domosdoshme të biznesit. Gatishmëria për të ndryshuar mënyrën e jetesës dhe pranimit të përgjegjësisë, mund të jetë elementi i parë, që secili person duhet të shqyrtojë para se të fillojë aventurën e ndërmarrësisë.

C. Aftësitë dhe Përvoja

C.1: A i dini cilat janë aftësitë kryesore që një ndërmarrës duhet t’i posedojë për të zhvilluar dhe menaxhuar një biznes?

Ngritja e një biznesi është diçka që fillon nga dëshira dhe pasioni për të krijuar dhe punuar për veten. Sigurisht, krijimi i një biznesi është vetëm fillimi, sepse pjesa më e vështirë vjen më pas. Për këtë arsye, ju duhet të shqyrtoni mundësinë e zhvillimit të këtyre aftësive kryesore si parakusht për menaxhim efektiv të një biznesi:Menaxhimi efektiv i njerëzve (motivimi, kontrolli, drejtimi) etj.;Menaxhimi i operacioneve biznesore;Menaxhimi efektiv i mjeteve themelore, produkteve etj;Menaxhimi i administratës;Marketingu (hulumtimi i tregut, formimi i çmimeve, distribuimi, brendingu, promovimi, reklama) etj.; Menaxhimi financiar. Mbi të gjitha është, është me rëndësi të përcaktohet në fillim të zhvillimit të idesë së një biznesi të ri, nevoja për aftësi specifike për të realizuar produktin apo shërbimin që planifikohet të ofrohet.

C.2: A i posedoni ju këto aftësi?

Para se të fillohet zhvillimi i një biznesi të ri, duhet të realizohet një vlerësim i detajuar i aftësive të duhura për të menaxhuar me sukses biznesin e planifikuar.  Pasi të keni të qartë se çka kërkohet saktësisht për të menaxhuar biznesin e dëshiruar, mund të hartohet plani i trajnimit me qëllim të sigurimit të kompetencës së duhur (akademike, teknike etj.).

C.3: A keni aftësi për të qenë i vetëdiciplinuar?

Njëra prej premisave kryesore e të qenit ndërmarrës është edhe aftësia për të qenë i vetëdisiplinuar gjatë gjithë kohës, me qëllim të planifikimit, organizimit dhe implementimit efektiv të gjitha detyrave të përcaktuara në planin e zhvillimit të biznesit. Dallimi kryesor i të qenit i vetëpunësuar dhe i punësuar në ndonjë organizatë, është mungesa e udhëzimeve, kontrollit, motivimit nga menaxheri përgjegjës. Prandaj, aftësia e të qenit i vetëdisiplinuar është fondament i personalitetit të ndërmarrësit, si shtytës kryesor i realizimit me sukses i të gjitha detyrave, planeve dhe sfidave të biznesit të ri.

C.4: A keni përvojë profesionale në nivel menaxherial apo udhëheqës?
Përvoja profesionale në pozita udhëheqëse dhe menaxhuese është aset shumë i rëndësishëm për të gjithë personat e interesuar që të bëhen ndërmarrës dhe të zhvillojnë biznes të ri. Përvoja e menaxhimit të njerëzve, proceseve, aktiviteteve në periudha të ndryshme sfiduese në çfarëdo organizate, jep vlerë të shtuar në rrugëtimin e zhvillimit të biznesit të ri.

C.5: A mendoni se jeni të gatshëm për të punësuar, motivuar, disiplinuar, deleguar detyra te punëtorët tjerë?

Në rrugëtimin e zhvillimit të një biznesi të ri, që në fillim mund të shfaqet nevoja e punësimit të personave me kompetenca dhe aftësi të ndryshme si punëtorë të rregullt, me gjysmë orari apo punëtor nga distanca. Aftësia dhe inteligjenca emocionale e menaxhimit të duhur të procesit të punësimit, duke përzgjedhur vetëm kompetencat dhe aftësitë e kërkuara, motivimi efektiv drejt realizimit me sukses të detyrave të përcaktuara konform orientimit strategjik të biznesit, krijimi i klimës së favorshme të punës në biznesin e ri dhe delegimi me sukses i detyrave te të gjithë të punësuarit, është aftësi fondamentale e një ndërmarrësi.

C.6: A jeni kompetent të përdorni vazhdimisht kompjuterin dhe të gjitha aplikacionet e domosdoshme për të menaxhuar biznesin tuaj?

Aktualisht në të gjitha industritë, përdorimi i kompjuterëve është i domosdoshëm jo vetëm për të realizuar ndonjë shërbim specifik, por edhe për të menaxhuar proceset e domosdoshme biznesore si: menaxhimin e administratës, marketingut, kontabilitetit, raportimit financiar, komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm etj. Aftësia dhe vullneti për t’i përdorur të gjitha aplikacionet kompjuterike në dispozicion si të nevojshme për të menaxhuar në mënyrë praktike proceset e punës, është aset shumë i rëndësishëm edhe i ndërmarrësit.

C.7: Nëse e vlerësoni se nuk i posedoni aftësitë e domosdoshme për të zhvilluar dhe menaxhuar biznesin tuaj, a jeni të gatshëm t’i shtyni planet tuaja të ndërmarrësisë derisa t’i përfitoni aftësitë e duhura?

Pasi që aftësia e të qenit i vetëdisiplinuar është element fondamental i një ndërmarrësi, rezultatet jo të kënaqshme nga të analizuarit e aftësive dhe parakushteve tjera të duhura për të filluar një biznes të ri, mund të jenë tregues për nevojën për të investuar në ngritje të kompetencës dhe parakushteve tjera para se të fillohet aventura e ndërmarrësisë. Rrjedhimisht, mund të krijohet nevoja që fillimi i një biznesi të ri, të shtyhet për një periudhë të ardhshme deri sa të krijohen kushtet e domosdoshme për realizimin e planit të zhvillimit të biznesit të ri.



Vegëza të dobishme

  • Ballina
  • Kontakti
  • Webinarë
  • Publikimet

Llogaria

  • Kyçu
  • Llogaria ime

Regjistrohuni për Buletin

Përfito nga informatat e reja mbi ndryshimet juridike dhe biznesore!

© 2023 ACCESS/KIESA .Përkrahur nga BCC. Të gjitha të drejtat e rezervuara.